Ac Milan Video

Ac Milan Lajme

Ac Milan Lajme

Inzagi nuk dorëzohet edhe pas operacionit


Sulmuesi u operua dje në Spanjë dhe do të pushojë për 5-6 muaj: Sekreti im? Pasioni për atë që bëj
Ka dalë me sukses ndërhyrja kirurgjikale në gjurin e majtë, së cilës iu nënshtrua dje në Barcelonë, Filipo Inzagi. Operacioni ishte i nevojshëm pas këputjes së ligamenteve të kryqëzuara dhe në menisk, dëmtim i pësuar menjëherë sapo u fut në fushë në pjesën e dytë ndaj Palermos. Ndalesa do të jetë 5-6 muaj, por sulmuesi 37-vjeçar nuk dorëzohet. “Sekreti është pasioni për atë që bëj dhe fakti që zbavitem akoma si një djalosh.
Përpiqem ta shijoj në maksimum, deri në fund”. Pas dëmtimit Inzagi mori shumë telefonata mbështetjeje, por ai zbulon një prapaskenë për më interesanten: “Më telefonuan shumë kolegë, por ajo që më befasoi më shumë ishte ajo e Etosë me tëcilin u njoha këtë verë në Bahamas. Pas dëmtimit më telefonoi dhe më këshilloi të shkoja në Spanjë te doktor Kougat. Është i njëjti kirurg që operoi Di Natalen me rezultate shumë të mira.
Është dëmtimi më i rëndë i karrierës sime, më vjen keq që erdhi në momentin më të bukur. Nuk dua të caktoj një datë, por shpresoj të shërohem shpejt. Uroj të kthehem në maj për të festuar diçka të rëndësishme me Milanin”.Përgjegjësi mjekësor i Milanit, Xhianluka Malegati, ka bërë të ditur që sulmuesi kuqezi, “është operuar dje në mëngjes nga profesor Ramon Kougat në spitalin “Quiron” të Barcelonës.
“Ndërhyrja doli me sukses, - lexohet në një komunikatë për shtyp në adresën zyrtare të Milanit në internet. - Doktori bëri rindërtimin e ligamentit të kryqëzuar të gjurit të majtë dhe tendinën e këputur. Futbollisti pas një pushimi të shkurtër pas operacionit gjithnjë në spitalin “Quiron”, do të rikthehet në Itali ku do të fillojë terapinë rehabilituese”.
Dhe në ditën e operimit, sulmuesi kuqezi rrëfen se është pasioni sekreti i të qenit akoma vendimtar në fushë dhe në nivele maksimale, ndonëse është 37 vjeç. “Brohoritjet e “San Siros” kur zbres në fushë, të fusin të dridhurat. Kanë qenë emocione shumë të bukura, që do t’i mbaj gjithnjë me vete”, - shpjegon, duke folur më pas për dygolëshin e shënuar në finalen e Championsit në 2007-ën në Athinë kundër Liverpulit.
“Ishin që të dy shumë të bukur, por e kam thënë gjithnjë që Liga e Kampionëve, tek e cila kam qenë shumë vendimtar ka qenë ajo e vitit 2003″. Inzagi është për momentin i barabartë me gola me spanjollin Raul në renditjen e golashënuesve europianë të të gjithë kohërave, por ish-madrileni do të ketë më shumë mundësi për t’i shtuar golat e tij. “Si sulmues, mendoj se është historia që përfaqëson ajo që flet vetë, - vazhdon Inzagi.
- Është e vërtetë që jam kujdesur shumë për këtë rekord, sepse ka shumë kohë që e ndjek rekordin, sikundër dhe Raul. Tani ai është te Shalke dhe ka shumë mundësi të shënojë, e di që do të ma kalojë sërish, por për momentin të jesh i pari është diçka që më bën të lumtur. Nëse Rauli do të më kalojë do ta uroj, sepse ka qenë një futbollist fantastik”.
Mbi takimin e fundit me Mourinjon në “San Siro” pas sfidës Milan-Real Madrid, “SuperPipo”, tregon: “Ka gjithnjë fjalë të bukura për mua dhe ka shumë respekt mes nesh, edhe pse nuk e kam pasur asnjëherë si trajner. Mendoj se rikthimi i tij në “San Siro”, përballja me një publik të zjarrtë dhe përqafimi me një lojtar që sapo i ka shënuar dy gola, është një gjest i bukur “fair-play”. /acmilan-news