Ac Milan Video
Ac Milan Lajme
Ac Milan Lajme
Milani shkaterron kampionin
Interi ka pësuar humbje minimale prej 0-1 nga Milani, në derbin më të madh lokal në botë, Derbi della Madonnina, që u zhvillua të dielën mbrëma në Giuseppe Meazza.
Milani e filloi furishëm ndeshjen, pasi që në rastin e parë dhe në kontaktin e parë me top të ish-sulmuesit të Interit, Zlatan Ibrahimovic, u shkaktua një penalti nga Marco Materazzi. Përgjegjësinë e mori ‘Ibracadabra’ që nuk u tremb nga tifozët nerazzurë përballë tij, dhe duke qenë tejet i ftohtë nga pika e bardhë realizoi për epërsinë e hershme të Milanit prej 1-0 (5').
Epërsia e hershme e Milanit ishte vrasëse për Interin. Milani me presionin e lartë mbi mesfushorët e Interit dhe me Thiago Silvan që nuk e lejoi të lëvizë Diego Militon, e diktoi ndeshjen.
Një lojë tejet e zbehtë e nerazzurëve bëri që Milani të shfaqet përsëri i rrezikshëm me anë të Ibras, i cili së pari asistoi për Robinhon që dështoi dhe së dyti e 'mashtroi' Lucion, për ta vënë përpara portës së Castellazit mesfushorin Matthieu Flamini, të cilit ia largoi topin Materazzi.
Rastin e vetëm dhe më të mirë në pjesën e parë për Interin e pati Wesley Sneijder nga goditja e dënimit, gjuajtje e cila përpak sa nuk përfundoi në rrjetë.
Në pjesën e dytë Milani vazhdoi me lojë të baraspeshuar, por pa rrezikuar portën kundërshtare. Interi nga ana tjetër bëri presion, por pa kurrfarë rreziku, pos disa goditjeve relativisht të rrezikshme nga Sneijder, më i miri në taborin zi-kaltër.
Momenti kyç në pjesën e dytë u regjistrua në minutën e 60-të, kur pas një provokimi të Goran Pandev, ashpër reagoi Ignazio Abate me ç’rast u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për t’u përshëndetur nga sfida.
Përkundër epërsisë numerike në fushë, Interi nuk arriti që të barazojë rezultatin, falë një mbrojtje tejet solide nga skuadra kuq e zi.
Pas javës së 12-të Milani e sheh veten në pozitën e parë me 26 pikë, një pikë më shumë se vendi i dytë Lazio dhe gjashtë më shumë se rivali i përjetshëm Inter që gjendet në pozitën e pestë. /Telegrafi/